COMARC/B Formati për të dhënat bibliografike

PDFCOMARC/Bdhjetor2020

Hyrje

COMARC/B, formati i lexueshëm nga makina për përshkrimin dhe shkëmbimin e të dhënave bibliografike në sistemin COBISS, bazohet në formatin UNIMARC për të dhënat bibliografike, i cili është një standard ndërkombëtar dhe deri në mars të vitit 2003 e ka zhvilluar IFLA's Universal Bibliographic Control and International MARC Programme (UBCIM) me seli në Deutsche Bibliothek, Frankfurt am Main. Programi UBCIM u mbyll në mars të vitit 2003 dhe National Library of Portugal (NLP) mori përsipër zhvillimin e mëtejshëm të formatit UNIMARC.

Përveç fushave/nënfushave standarde të formatit UNIMARC, formati për të dhënat bibliografike COMARC/B përmban një numër karakteristikash specifike të strukturës së regjistrimeve bibliografike në sistemin COBISS.

Përveç formatit COMARC/B, në sistemin COBISS përdoren edhe dy formate të tjera: formati për koleksionet e bibliotekës COMARC/H dhe formati për të dhënat e njësuara COMARC/A, për të cilët ekzistojnë manuale të veçanta.

Gjatë zbatimit të formatit UNIMARC në sistemin COBISS, fillimisht është përdorur manuali Priručnik za UNIMARC (Përshtatja në gjuhën serbo-kroate e Manualit UNIMARC, 1987). Ky manual është përkthyer dhe përshtatur në vitin 1989 nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare në Zagreb dhe në të njëjtin vit ai u përkthye në sllovenisht (Priročnik za UNIMARC) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare, Lubjanë.

Krahas zhvillimit të funksioneve të reja në sistemin COBISS, ishte e nevojshme që formati UNIMARC të plotësohej me fusha dhe nënfusha të reja, gjë e cila çoi në zhvillimin e formatit COMARC/B. Fillimisht u botuan udhëzimet për Serialet si pjesë përbërëse e bazës së të dhënave bibliografike (katalogut) të Jugosllavisë (projekt-dokument), në Maribor, më 18 dhjetor 1990.

Në vitin 1991 vazhdoi përgatitja e formatit COMARC/B për monografitë, disertacionet dhe serialet, ndërsa më vonë edhe me një numër përditësimesh të tjera.

Në vitin 1994 u mor vendimi për bashkimin e udhëzimeve për lloje të ndryshme të materialeve në një format të vetëm bibliografik – COMARC/B. Për përgatitjen e manualit për formatin COMARC/B u sigurua leja nga Programi UBCIM i IFLA-s për të përdorur pjesë nga përkthimi i botimit të dytë të UNIMARC Manual. Bibliographic Format (UBCIM Publications – New Series, Vol. 14, 1994).

Përmirësimi i manualit COMARC/B Formati për të dhënat bibliografike, i cili do të përfshijë të gjitha udhëzimet e nevojshme nga UNIMARC Manual dhe të gjitha karakteristikat e sistemit COBISS, është bërë hap pas hapi.

Fushat/nënfushat janë transferuar tërësisht nga moduli "Disertacionet" në strukturën e integruar të botimit COMARC/B, ndërsa moduli "Serialet" do të transferohet gradualisht. Karakteristikat e një niveli bibliografik dhe të një lloji të materialit janë shpjeguar në fushat/nënfushat e veçanta, si dhe janë të përfshira edhe udhëzimet e duhura nga UNIMARC Manual. Deri tani janë transferuar të gjitha fushat nga blloqet 0XX, 1XX, 2XX, 3XX dhe 4XX, ndërsa nga blloqet e tjera disa fusha të caktuara.

Në përditësimet në vazhdim, në manualin COMARC/B do të përfshihen vetëm fushat/nënfushat, të cilat përdoren në sistemet COBISS.

Fushat, nënfushat, kodet dhe treguesit, të cilët nuk ndodhen në UNIMARC, por ndodhen në COMARC janë identifikuar me një yllth "*". Fushat, nënfushat, kodet dhe treguesit, të cilët janë hequr janë identifikuar me dy yllthe "**".

Formati COMARC/B i është përshtatur sistemit të përbashkët të katalogimit COBISS, i cili përshkruhet në manualin COBISS3/Katalogimi.

Për shënimin e të dhënave në sistemin e përbashkët të katalogimit përdoren maskat për shënimin e të dhënave, të cilat përmbajnë fushat dhe nënfushat e përdorura më shpesh gjatë shënimit të të dhënave në një nivel të caktuar bibliografik. Fushat e tjera përdoren vetëm nëse janë të parapara në modelin e direktorisë së maskës së caktuar.

Ekzistojnë këto maska për shënimin e të dhënave: M – monografi, K – burime në vazhdim, Z – koleksione, A – artikuj dhe pjesë të tjera përbërëse si dhe N –materiale jolibra.

Fushat përcaktohen me një varg prej tre numrash, ndërsa nënfushat me një shkronjë ose numër. Njësia më e vogël e informacionit, që njihet nga programi, është nënfusha (gjatë kërkimit, shfaqjes), apo elementi i nënfushës në formatin për të dhënat e koleksioneve të bibliotekës COMARC/H.

Disa fusha kanë vlera të përcaktuara të treguesve, që zakonisht përcaktojnë mënyrën e shfaqjes. Në disa raste fushat dhe nënfushat janë të përsëritshme.

Lista e të gjitha fushave dhe nënfushave, të cilat përdoren për momentin, ndodhet në Shtojcën A.

Shenjat e pikësimit midis fushave dhe nënfushave zakonisht nuk shënohen, sepse ato vendosen në mënyrë automatike. Një përshkrim i shenjave të pikësimit, të përcaktuara nga ISBD-ja, paraqitet në Shtojcën B.

Shtojcën C janë përshkruar indekset për kërkim, që përdoren në sistemin e përbashkët të katalogimit COBISS.

Monografitë në disa vëllime janë përshkruar në Shtojcën D.

Tabela e shenjave më të shpeshta matematikore dhe shenjave të tjera të veçanta, që shfaqen në tituj, shënimi dhe shpjegimi i tyre në fushën 200 dhe në fushat e tjera, është dhënë në Shtojcën E.

Të gjitha karakteristikat, që kanë të bëjnë me bibliografitë në sistemin COBISS nga marsi i vitit 1996, janë përshkruar në Shtojcat F.1F.8.

Shtojca G përmban listën e kodeve të numrave të KDU-së të caktuara për kërkimin uniform në sistem (nënfusha 675c).

Kodet për llojin e autorësisë me përkufizimet e tyre paraqiten në Shtojcën H.

Shtojcën I janë paraqitur udhëzimet për katalogimin përmbledhës të materialeve. Është përshkruar mënyra e shënimit të të dhënave në fusha të veçanta të regjistrimeve përmbledhëse. Gjithashtu, janë dhënë shembujt e fushave të veçanta dhe regjistrimeve të plota.

Në manual janë paraqitur dy lloj shembujsh në fushat e veçanta. Shembujt, që nuk janë identifikuar në mënyrë të veçantë, janë marrë nga UNIMARC Manual. Bibliographic Format. Ata janë përgatitur në gjuhë të ndryshme dhe sipas rregullave të ndryshme të katalogimit. Për këtë arsye jo gjithmonë përshtaten me praktikën tonë të katalogimit. Me një yllth "*" janë identifikuar shembujt e shtuar sllovenë si dhe shembujt nga bibliotekat e tjera, të përfshira në rrjetin COBISS.Net. Këta të fundit përmbajnë edhe shenjën COBISS.net.

Në zhvillimin e formatit COMARC/B kanë marrë pjesë ekspertë nga institucione të ndryshme, të cilët ende kontribuojnë me sugjerimet e tyre dhe për këtë ne i falenderojmë në mënyrë të veçantë. Në këtë fazë të zhvillimit, nuk ka qenë e mundur të zbatohen të gjitha sugjerimet, për këtë arsye me to do të merremi në të ardhmen.

Lusim, të gjithë përdoruesit e këtij manuali, që me sugjerimet e tyre të ndihmojnë në përmirësimin e zgjidhjeve të realizuara deri tani.